Gjiknuri: Rruga e lumit të Vlorës, premtim i mbajtur

30/05/2017 00:00

Selenica dhe Drashovica ishin ndalesa e radhës e drejtuesit politik të PS të qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri, ku prezantoi kandidatin për deputet Vullnet Sinaj.

Duke u ndalur tek kandidatura me të cilën Partia Socialiste kërkon votat e banorëve të zonës së lumit të Vlorës, Gjiknuri tha se “me zgjedhjen e Vullnetit, në njëfarë mënyre e dhamë sinjalin e parë që ju respektojmë si zonë”.

“Zgjodhëm një njeri që ka lidhje të forta me zonën. I mbajti, i respektoi njerëzit, qe tamam një lab që nuk shkëputet nga vendi i tij. Pra, po votoni një njeri, nuk po votoni thjesht një slogan. Keni një njeri, një djalë tuajin që ja njihni rrënjët dhe përfaqëson forcën më progresiste politike”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri komentoi edhe projektin tanimë në konkretizim e sipër të ndërtimit të rrugës së lumit të Vlorës, duke insistuar se ky është premtimi i mbajtur i Kryeministrit Rama. 

“Po bën një rrugë, që ju e dini shumë mirë, edhe unë e mbajt mend që i vogël. Shumë të tjerë e kanë thënë brez pas brezi, kur do bëhej rruga e Lumit të Vlorës?! Kush do qe ai njeri që do e merrte përsipër ta bënte këtë realitet? Praktikisht Edi Rama e mbajti fjalën, qeveria socialiste e mbajti fjalën, rruga ka filluar, do vazhdojë e do sjellë potenciale të mëdha ekonomike. Nuk është thjesht se njerëzit duan të shohin një rrugë, rruga sjell zhvillim, rruga ju sjell shumë afër me qytetin e Vlorës i cili në vetvete po transformohet”, nënvizoi Gjiknuri.

Nga ana tjetër, kandidati për deputet Vullnet Sinaj shprehu bindjen se banorët e Lumit të Vlorës do zgjedhin në 25 Qershor votën masive ndaj Partisë Socialiste.

“Unë ju them se në 25 Qershor, ne do të bashkohemi të gjithë sëbashku për të marrë rrugën drejt Evropës. Nuk ka asnjë timonier, dhe asnjë mjet tjetër që e çon Shqipërinë, që çon Vlorën e që çon Drashovicën drejt Evropës veç timonierit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. Ju ftoj që të gjithë sëbashku, të majtë e të djathtë, të votojmë për Partinë Socialiste, për qeverinë e Edi Ramës që është e vetmja qeveri që do të bëjë realitet ëndrrat e Labërisë dhe ëndrrat e Drashovicës”, u shpreh Sinaj.

Top Channel