Fleta e votimit, KQZ vendos me short renditjen

30/05/2017 00:00

Hedhja e shortit në KQZ për përmbajtjen dhe renditjen e partive në fletën e votimit ka shkaktuar të qeshura në mbledhjen e radhës.

Nga sot, procesi për zgjedhjet e 25 qershorit nis zyrtarisht, me këtë fletë që do t’i niset menjëherë kompanisë greke, për të vijuar më pas me printimin dhe transportin në Shqipëri, 3 javë larg nga dita e zgjedhjeve. Fleta do të jetë vetëm një faqe dhe në përbërje të saj janë 18 parti politike. Sipas shortit të hedhur, e para në fletën e votimit, renditet Lëvizja Socialiste për Integrim.

Partia Socialiste do të mbajë numrin dy në fletë, Partia Republikane e Fatmir Mediut renditet e pesta dhe menjëherë pas saj renditet Partia Demokratike e Lulzim Bashës.

Sfida e Gjergj Bojaxhi do të mbajë nr 4, FRD e Bamir Topit e 11, PDIU nr 13 dhe partitë e tjera pjesëmarrëse me numrat përkatës.

Pavarësisht kërkesës për të rihedhur shortin me pretendimin se Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar dhe Aleanca Demokristiane kanë emër dhe logo të ngjashme dhe votuesit mund të ngatërrohen, KQZ vendosi t’i qëndrojë besnike shortit të hedhur. Fletën e votimit për në 25 qershor e mbyll “Libra” e Ben Blushit që mban numrin 18.

Top Channel