Bilanci i kryeministrit Edi Rama, sipas Lulzim Bashës, është përkeqësimi i ekonomisë nga keqqeverisja.

“Ekonomia katastrofë, rrogat copë-copë dhe taksat e larta”, tha Basha. Megjithatë, gjuha elektorale e Bashës ndryshon nga ajo e çadrës. Kreu i opozitës e përmendi çështjen e drogës në mitingun disa kilometra larg Lazaratit.

“Shqipërinë e ka mbushur cep më cep me drogë. Ndoshta, përjashtim bën vetëm Lazarati”, tha Basha.

Por, si kurrë më parë, nga Gjirokastra, Basha sulmoi ashpër edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim: “Kemi një parti që ju e dini fare mirë se e ka kthyer teserën e vet në triskë buke për qindra qytetarë. Tani është koha t’u bëjmë thirrje gjirokastritëve që janë skllavëruar me teserat e LSI-së dhe partive të tjera të pazarit të vjetër, që t’ia hedhin në fytyrë më 25 qershor”.

Ky ishte një tjetër rast që Lulzim Basha të mohojë indirekt zërat kritikë që flasin për një bashkëqeverisje me kundërshtarët aktualë, pas zgjedhjeve.

“Ju garantoj se Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë pazar me ta. Ejani t’i japim fund pazarit të ndyrë më 25 qershor”, tha Basha.

Vendimi për tu përfaqësuar në zgjedhje me njerëz të rinj ishte një nga tezat e Bashës, pse ai do të qeverisë ndryshe nga Rama: “Ndryshimi duhet të fillonte dhe ka filluar brenda shtëpisë sonë. Askush në Partinë Demokratike nuk e ka të ngjitur karriken pas vetes. Unë kam marrë vendimet e mia si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës së bashkuar, si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Re. Kam krijuar ekipin tim fitues”.

Lulzim Basha i përsëriti Edi Ramës edhe ftesën për debat.

Top Channel