Basha, fushatë në Berat: Prioriteti im, ekonomia

30/05/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në qarkun e Beratit. Përpara të pranishëmve, Basha tha se do të jetë kryeministri i qytetarëve.

“Kryeministri i Republikës së re, unë, nuk do të jem kryeministri i fasadave, nuk do të jem kryeministri i ekraneve televizive. Unë do të jem kryeministër i njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Unë do të jem kryeministri i beratasve dhe berateseve të zakonshëm, i halleve tuaja, i shpresave tuaja, i projekteve tuaja. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, do të punoj ditë për ditë për ekonominë e Beratit dhe të mbarë Shqipërisë. Unë do të jem kryeministër i qytetarëve, do të jem gjithmonë pranë jush në momente të mira e në veçanti në momente të këqia. Do të jem me ju, aty ku ju vuani”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës tha se prioritetet e tij do të jenë punësimini, ekonomia e fortë, hapja e vendeve të punës. Ai theksoi se, nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë, ndaj dhe do të nisë me zhvillimin e mirëqënies së qytetarëve të thjeshtë.

“Plani im ekonomik ka vulën e ekspertëve ekonomikë të Angela Merkel, partisë Kristian Demokrate që na ka ndihmuar me ekspertët e saj më të mirë me një plan të fuqishëm ekonomik që do të kërkojë vendime të qarta, vendime të forta, vendime të prera”, nënvizoi Basha, duke saktësuar se vendimi i tij i parë do të jetë ulja e taksave.

“Ulja e TVSH-së dhe e taksave do të çlirojë miliona euro në ekominë shqiptare, që do të përkthehen në vende pune, në biznese të reja, në rritje të fuqisë blerëse, me më shumë qarkullim të parasë. Leku nuk do të jetë më në xhepin e 4-5 njerëzve, por do të kthehet përmes zinxhirit ekonomik në xhepat e sipërmarrësve, të punësuarve, konsumatorëve, pra qytetareve”, tha Basha.

Top Channel