Trazirat me Italinë, Palermo përjashton 70 tifozë shqiptarë për 5 vite

28/05/2017 00:00

Kuestura e Palermos mori vendimin për të përjashtuar 70 tifozë shqiptarë nga të gjitha manifestimet sportive, për shkak të trazirave që shkaktuan në ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2018, mes Italisë dhe Shqipërisë.

Penaliteti, të cilin në vendin e Apenineve e quajnë me akronimin “DASPO”, u vendos për një pjesë të identifikuar të grupimit “Illyrian Elite”, për shkak të sjelljes aspak sportive në shkallët e stadiumit “Renzo Barbera”.

Më 24 mars të këtij viti, flakadanët dhe tymueset e detyruan arbitrin kryesor të pezullonte ndeshjen për thuajse 10 minuta. “DASPO” ndaj 70 tifozëve shqiptarë parashikon përjashtimin me 5 vite nga të gjitha aktivitetet futbolistike që zhvillohen në Itali, qofshin këto amatore, kombëtare apo ndërkombëtare.

Në të njëjtin hark kohor, tifozët nuk do të lejohen të jenë pjesë e grumbullimeve në “fan zone”, në ndalesa autostradash, apo stacione trenash e autobusësh.

Disa prej mbështetësve të kombëtares, nga të cilët FSHF-ja u distancua menjëherë, mbanin fytyrën të mbuluar dhe ishin me kapuç për të evituar ndalimin, por kjo nuk e evitoi dot arrestimin e disa tifozëve në Palermo në muajin mars. FSHF-ja ka sanksionuar më parë “Illyrian Elite” me përjashtimin nga ndeshjet e kombëtares shqiptare, edhe pse në miqësoren e fundit u faktua se ishin në stadium.

Top Channel