Lezhja shpërthen ndaj Bashës: Doli nga çadra, si Tritani nga Lushnja

28/05/2017 00:00

Gjergj Lezhja, një nga njerëzit kyç të organizimit në Partinë Demokratike, deri 5 vite më parë kur shkoi këshilltar i Presidentit Nishani, ka bërë akuza të forta ndaj Lulzim Bashës.

Ai thotë se nuk është aspak i çuditur nga lista e deputetëve të Partisë Demokratike, ndonëse sëpata e spastrimeve është e pa precedentë në politikën shqiptare. “As Edi Rama nuk ka bërë një spastrim të tillë me një të rënë të lapsit, por ka respektuar në vite ish-funksionarët e vjetër të PS”, thotë Lezhja.

Por sipas tij, nuk është vetëm Lulzim Basha, ideatori i kësaj kasaphane, por është një filozofi dhe frymë e ndërtuar që pas humbjes në 2013. Për Bashën ai thotë se është dhe mbetet një ministër i mirë në një qeveri të mirë.
“Ai kurrë nuk mund të bëhet udhëheqës i një force politike që pretendon pushtet dhe kjo për të vetmen arsye se, “po t’i heqësh rripin e pantallonave, ato do t’i bien në fund të këmbëve”. Këtë metaforë e përdor me përgjegjësi pasi e njoh shumë mirë atë dhe të gjithë udhëheqjen e Partisë Demokratike nga krijimi i saj”, shkruan Gjergj Lezhja.

Sipas tij, çadra ishte marria më e madhe si aksion politik, duke përfshirë këtu kërkesat ekstreme, si alternativa për zgjidhje. “Qesharake dhe foshnjarake ishte dhe është teza e Republikës së Re dhe më vjen shumë keq që pati dhe intelektualë qe shkuan deri në kufijtë e besimit të kësaj përralle. Dalja nga çadra e Bashës më kujton daljen e Tritan Shehut nga stadiumi i Lushnjes në vitin e mbrapshtë ‘97. Vetëm se Tritani bëri një akt sublim dhe pësoi atë që çdokush mund ta pësonte, kurse Basha hyri dhe doli nga kjo histori si një personazh butaforik, por dhe hileqar në ndërmarrjen e tij”, deklaron Gjergj Lezhja.

Sipas tij, Basha, në pamundësi për të ngritur “ushtrinë” e PD në këmbë për 4 vjet, ngriti një çadër për të krijuar perceptimin e një lëvizje që për asnjë moment nuk funksionoi, si dhe ndërtoi fabulën e humbjes, si rezultat i vjedhjes së votës.

Të gjitha këto në funksion të një politike personale, të dështuar. Ai thotë se është i zhgënjyer edhe me dy kandidaturat në qeveri. Ministren e Financës, e quan një juriste mediokër, me zero përvojë dhe me zero kurajo administrative, një intrigante dhe mjaft e përkëdhelur në të gjithë vitet e pushtetit të demokratëve, kurse Ministren e Çështjeve Sociale, e quan një individ te rritur rrugëve të pushtetit dhe të parave.

Top Channel