Milan humbet durimin, ultimatum Donnarumma-s për rinovimin

27/05/2017 00:00

Milani humbet durimin me Gianluigi Donnarumma-n e sidomos agjentin e tij Mino Raiola-n për sa i përket çështjes së rinovimit të kontratës.

Drejtuesit e klubit kuqezi ka vendosur t’i lëshojë një ultimatum portierit 18-vjeçar duke i thënë se do ta lënë për një vit në tribunë nëse ai nuk pranon të firmosë kontratën e re brenda muajit qershor.

Milani i ofroi Donnarumma-s një kontratë të re me një pagë prej 3.5 milionë euro në sezon, ndërkohë që me atë aktuale që skadon në vitin 2018, futbollisti përfiton vetëm 250 mijë euro në sezon.

Kur një kontratë me një futbollist skadon, atëherë klubi e humbet pronësinë mbi kartonin e tij dhe e humbet atë me parametra zero. Për këtë arsye Milani kërkoi që të sigurojë rinovimin me Donnarumma-n përpara mbylljes së kontratës me të.

Problemi për kuqezinjtë është se çështja e kalimit të pronësisë te sipërmarrësit kinezë rezultoi më e komplikuar seç u mendua duke i vështirësuar më shumë bisedimet për kontratën e re të portierit italian.

Agjenti i futbollistit Mino Raiola në këtë pikë rezulton më i fituari pasi koha është në favorin e tij. Donnarumma pas më pak se një viti mund të firmosë me cilën skuadër që të dëshirojë dhe pretendentët nuk mungojnë dhe bëhet fjalë për klube si Juventus, Real Madrid, Manchester City e Manchester United.

Top Channel