Di Marian në merkato! Juventus sfidon rivalët e Interit

27/05/2017 00:00

Angel Di Maria ka shfaqur pakënaqësi te Paris Saint German, një situatë kjo që ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane javët e fundit. Interi është një prej atyre që kanë shfaqur dëshirën për të siguruar kartonin e futbollistit argjentinas, por orët e fundit zikaltrit po hasin edhe në konkurrencën e Juventusit.

Sipas asaj që publikohet në median italiane, drejtuesit e kampionëve të Italisë nuk kanë humbur kohë dhe janë vënë në lëvizje për të fituar këtë garë me Interin. Mësohet se Fabio Paratici ka hyrë në kontakte me agjentin e Di Marias, Pablo Sabbag për të parë mundësitë që ka “Zonja e Vjetër” për të arritur te futbollisti.

Paratici i kërkoi Sabbag informacione të rëndësishme për Di Marian duke e ditur shumë mirë që është një objektiv i vështire për t’u arritur. Për më tepër, Di Maria te Paris Saint Germain përfiton një pagë që asnjë nga klubet e Serisë A nuk është në gjendje ta përballojë, kështu që gjetja e një marrëveshjeje që të kënaqë të gjithë nuk është një shëtitje dhe është e sigurt se bisedimet do të jenë të gjata.

Por Juventus nuk mjaftohet me vetëm Di Marian. “Zonja e Vjetër” hedh sërish sytë nga Roma dhe këtë radhë shënjestra e saj bëhet Paredes, një tjetër futbollist që përfaqësohet nga Sabbag. Gjithsesi më shumë për lëvizjet e Juventusit do të mësohet pas finales së Ligës së Kampioneve që bardhezinjtë do të luajnë javën e ardhshme në Cardiff ndaj Realit të Madridit.

Top Channel