80 mln euro, Guardiola siguron Bernardo Silvën

26/05/2017 00:00

Manchester City ka nisur menjëherë punën për përforcimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm. Trajneri i Citizens, Pep Guardiola e ka nisur procesin e revolucionit duke lejuar largimin e Clichy, Caballero, Sagna dhe Jesus Navas, të cilëve u skadon kontrata, ndërkohë që ka bërë goditjen e parë në merkaton e transferimeve.

Bëhet fjalë për mesfushorin e Monacos, Bernardo Silva, i cili mbërriti në Manchester në mbrëmjen e së enjtes. Portugezi 23 vjeçar mori menjëherë fluturimin  nga Mallorca, ku ndodhej me pushime për të mbyllur procesin e transferimit të tij te Manchester City. Klubi anglez pranoi të derdhë në arkat e Monacos plot 80 milionë euro duke fituar garën me rivalët e Manchester United.

Ardhja e Bernardo Silvës i jep mundësinë Guardiolës që të ketë në dispozicion mesfushorë sulmues të një niveli të lartë, pasi nën urdhrat e tij janë edhe lojtarë të tillë si David Silva, Gundogan e De Bruyne.

Të katërt këta futbollistë e plotësojnë kriterin e kërkuar aq shumë nga Guardiola, aftësinë për të mbajtur topin në zotërim e për të komanduar lojën.

Top Channel