Milan ofron 60 mln euro për Moratën

24/05/2017 00:00

Pasi arkivoi përfundimisht çështjen e titullit në Spanjë, Reali i Madridit është tashmë totalisht i fokusuar te finalja e Champions League, që do të luhet më 3 qershor në “Millennium Stadium” të Kardifit.

Megjithatë, kjo nuk e frenon aspak merkaton e transferimeve dhe një prej futbollistëve që përfshihet në të është pikërisht Alvaro Morata.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, e ardhmja e sulmuesit 24-vjeçar është larg kryeqyrtetit spanjoll, për t’u kthyer sërish në Serie A. Vetëm se këtë radhë, ai që dëshiron shërbimet e tij është pikërisht Milani.

Gjithnjë sipas “Marca”-s, klubi kuqezi ka vendosur t’i ofrojë Realit të Madridit plot 60 milionë euro për të siguruar kartonin e futbollistit, i cili këtë sezon nuk është aktivizuar sa pritej nga trajneri Zinedine Zidane.

Në kampionat, Morata ka luajtur vetëm 26 ndeshje dhe në të shumtën e rasteve i ka nisur nga stoli. Vetëm 5 herë ai ka mundur të luajë për të 90 minutat. Në Champions është akivizuar vetëm një herë, në ndeshjen e fazës gjysmëfinale, por vetëm për dy minuta ndaj Atleticos së Madridit, kur kualifikimi për në finale ishte siguruar.

Pikërisht këtë situatë kërkon ta shfrytëzojë Milani, që po përpiqet të ndërtojë një skuadër që të jetë në gjendje të synojë objektiva madhorë. Në këtë aspekt, kuqezinjtë po studiojnë mundësinë e blerjes edhe të një lojtari tjetër, e bëhet fjalë për Radja Nainggolan, por ky i fundit është vënë edhe në shënjestrën e Interit.

Top Channel