Pas La ligas, Florentino Perez kërkon edhe Champions-in

22/05/2017 00:00

Titulli numër 33 në La Liga entuziazmoi presidentin e Real Madrid që t’i premtojë tifozëve një tjetër festë brenda pak ditësh.

Pas dominimit në Spanjë me suksesin që la pas ekipe si Barcelona dhe Atletico, Florentino Perez u prit në një takim së bashku me lojtarët, në bashkinë e Madridit, ku vendosi fokusin te Champions League.

Në një pritje me kryebashkiaken Manuela Karmena, biznesmeni që drejton klubin më të pasur futbollistik të planetit, kërkoi mbylljen spektakolare sezonale me suksesin ndaj Juventus në Kardif.

“Në 3 qershor kemi një finale, e cila nuk do të jetë e lehtë, por do të japim edhe frymën e fundit për të fituar Champions. Kjo skuadër tregoi edhe një herë vlerat që formojnë legjendën tonë dhe ëndrra është që të kthehemi në Madrid në 4 qershor për të festuar sërish. E di që ky grup do japë shpirtin për Championsin e 12. Ky është Reali, dhe këtë e dinë mirë lojtarët dhe Zidan, një simbol i historisë tonë. Fituam kampionatin më të vështirë dhe shënuan në çdo ndeshje. Kjo është filozofia jonë” tha presidenti i Real Madrid. nuk mund të mungonin dhe elozhet për trajnerin francez.

“Zidan është një simbol i Real Madrid dhe dua ta falenderoj për ato që ka dhënë e vazhdon të japë. Ishte futbollisti më i mirë dhe tani është trajneri më i mirë në botë” tha Perez.

Top Channel