Messi, favorit për “Këpucën e Artë”. Do të barazojë Ronaldon

22/05/2017 00:00

Lionel Messi pritet të fitojë “Këpucën e Artë” europiane për herë të katërt, duke barazuar në këtë mënyrë rekordin e vendosur nga Cristiano Ronaldo.

“Pleshti” 29-vjeçar argjentinas shënoi një dygolësh ndaj Eibarit në sfidën e fundit të La Ligës, duke e mbyllur kampionatin në krye të golashënuesve me 37 gola, sasi që konvertohet në 74 pikë për të në garën për “Këpucën e Artë”, duke ditur se çdo gol vlen dy pikë në renditje.

Sulmuesi holandez i Sportingut të Lisbonës, Bas Dost, shënoi një trigolësh në ndeshjen e fundit ndaj Chavesit, duke u renditur kështu i dyti, pasi numëron 34 gola në kampionatin elitar portugez, e rrjedhimisht grumbullon 68 pikë.

Në podium ngjitet edhe sulmuesi i Borussia Dortmundit, Pierre-Emerick Aubameyang, me 31 gola të shënuar në Bundesligë dhe 62 pikë në këtë renditje speciale. Sulmuesi togolez u shpall edhe kryegolashënuesi i kampionatit gjerman, duke fituar “Torjagerkanone”-n. Që të gjithë këta i kanë mbyllur llogaritë për këtë sezon, ndërkohë që nga kompeticionet më të rëndësishme në Europë ka mbetur edhe Serie A për të zhvilluar javën e fundit, këtë fundjavë.

Duke kaluar në Itali, sulmuesi boshnjak i Romës, Edin Dzeko është aktualisht kryegolashënues me 28 gola, gjë që do të thotë se atij do t’i duhen 9 gola në ndeshjen e fundit përballë Genoas, për të barazuar Messin. Dries Mertens i Napolit është në kuotën e 27 golave, ndërsa Andrea Belotti numëron vetëm 25 gola.

Messi e ka fituar më herët këtë trofe në vitet 2010, 2012 dhe 2013. Që kur Ronaldo fitoi “Këpucën e Artë” si lojtar i Manchester United në sezonin 2007-2008, fituesit pasardhës kanë ardhur gjithnjë nga një klub spanjoll. Edhe pse në 2013-2014, ishte Luis Suarez i Liverpoolit që shpallej bashkëfitues me Ronaldon.

Renditja për “Këpucën e Artë”

Lionel Messi, Barcelona, 74 pikë
Bas Dost, Sporting Lisbonë, 68
Pierre-Emerick Aubameyang, Borussia Dortmund, 62
Robert Leëandoëski, Bayern Munchen, 60
Harry Kane, Tottenham Hotspur, 58
Luis Suarez, Barcelona, 58
Edin Dzeko, AS Roma, 56
Dries Mertens, Napoli, 54
Edinson Cavani, Paris Saint-Germain, 52.5
Andrea Belotti, Torino, 50
Romelu Lukaku, Everton, 50
Anthony Modeste, Koln, 50
Cristiano Ronaldo, Real Madrid, 50.

Top Channel