Kamza sërish në elitë, barazimi e rikthen në Superiore

22/05/2017 00:00

Finalja e kategorisë së parë për grupin B mes Kamzës dhe Besëlidhjes u mbyll në barazim 1-1, rezultat i cili e rikthen ekipin pranë kryeqytetit në elitën e futbollit shqiptar.

Ndeshja, e cila ishte shtyrë për shkaqe sigurie prodhoi një luftë të fortë sportive, por në fund festoi skuadra e drejtuar nga trajneri Ramazan Ndreu, finish që ëndërrohej prej 5 sezonesh.

Vetëm 21 minuta zgjati ekuilibri pasi Kamza mori epërsinë me një iniciativë të bukur të Mehmetit që finalizoi në rrjetë me të majtën, falë edhe neglizhencës së mbrojtësve lezhjanë. Por para se skuadrat të shkonin në pushim, veterani Smajli lëshoi një top në zonë që në rrëmujë e sipër u dërgua në drejtimin e duhur nga Kamara’ pranë vijës fatale.

Kamza-Besëlidhja 1-1 qëndroi stoik edhe në të gjithë fraksionin e dytë pavarësisht rasteve në portat respektive. Kështu kamzalinjtë i bashkohen Lushnjës si ekipi i dytë që promovohet në Superiore.

Top Channel