Pelikani “Kaçurrel”, dita e shpendit në Parkun e Divjakës

20/05/2017 00:00

Në parkun e Divjakës është organizuar dita e Pelikanit “Kaçurrel”. Ky aktivitet ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj specie me rëndësi globale.

Kompleksi Divjakë – Karavasta është i vetmi vend folenizimi për pelikanin kaçurrel në Shqipëri dhe një nga vendet me shumëllojshmërinë më të madhe të shpendëve. Ndërsa kjo është hera e tretë që zhvillohet një aktivitetet i tillë. Nga viti në vit banorët e zonës kanë dhënë kontributin e tyre për ruajtjen e pelikanit kaçurrel.

“Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme arritëm sensibilizimin në masë të banorëve të lojës dhe tani siç e shikoni, këta banorë janë bërë edhe pjesë e mbrojtjes së pelikanit, por edhe të kremtimit të një dite kaq të çmuar”, shprehet Ardian Koçi, drejtor i Parkut të Divjakës.

Specia e rrallë, këtu ka të vetmin habitat natyror në Ballkan dhe prej një shekulli e gjysmë, pelikani kaçurrel jeton në lagunën e parkut kombëtar. Sipas një programi ndërkombëtar ku përfshihet një rrjet shoqatash po kryhet monitorimi i zonës.

“Do të vijojë punë për monitorimin biologjik, i cili bëhet sipas një protokolli të përhershëm tre herë në muaj. Një monitorim biologjik shkencor, sigurimi i kushteve të qetësisë, sigurimi i kushteve të folenizimit”, thotë Sajmir Hoxha, Noe Conservation.

Në 2013, në Parkun e Divjakës kishte 37 çifte të pelikanit kaçurrel, ndërsa tani numri ka arritur në 56 çifte. Ruajtja dhe rritja, shtimi i pelikanit ka bërë që edhe numri i vizitorëve të shtohet në parkun e Divjakës, çka ka ndikuar në rritjen e shërbimeve turistike.

Top Channel