Mbijetesa vendoset në minutën e fundit, Vllaznia dhe Tirana në rrezik serioz

20/05/2017 00:00

Kategoria Superiore rrezikon që sezonin e ardhshëm të humbasë një prej skuadrave si Vllaznia ose Tirana, megjithëse janë edhe Flamurtari dhe Laçi që mund të përfundojnë në Kategorinë e Parë.

Superiorja njohu kampionin e saj që është Kukësi, pasi mposhti mes polemikave Skënderbeun, por teksa ka mbetur edhe java e fundit për t’u luajtur, duhet të presim ende për të mësuar skuadrën e dytë që do të shoqërojë Korabin në Kategorinë e Parë.

Në garë janë ende katër skuadra, ku Laçi renditet e parafundit, por një fitore e tyre ndaj Teutës së shpëtuar tashmë do t’i siguronte mbijetesën, ndërsa për Flamurtarin gjërat duken më të lehtë duke qenë se do të ndeshet ndaj Korabit të vendit të fundit.

Në rast se Laçi dhe Flamurtari do të dilnin me 3 pikë nga java e fundit, atëherë ekipi që do të bjerë nga kategoria do të jetë një mes Vllaznisë dhe  Tiranës. Që këtë herë, si kurrë më parë, do të zhvillojnë një finale, jo për titull, por për të mbetur mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Top Channel