LSI, shkëndijat e para? Meta: Pakti? U njoha nga media

18/05/2017 00:00

Ilir Meta i shkoi në zyrë ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë së enjtes, kur Rama dhe Basha ishin ende duke detajuar në Pallatin e Kongreseve marrëveshjen e arritur, por që deri në ato momente nuk ishte bërë publike.

Presidenti i zgjedhur nuk e fshehu sesi e kishte marrë vesh arritjen e ujdisë së madhe politike.

“Jam shumë i lumtur që ka pasur një marrëveshje, sipas medias, midis zotit Rama dhe zotit Basha. Kjo ka qenë ëndrra ime, të ketë një marrëveshje. Ky ka qenë kontributi im, që të ketë një marrëveshje. Le të shpresojmë që çdo gjë të bëhet publike dhe kjo t’i interesojë standardit të zgjedhjeve, demokracisë dhe qytetarëve shqiptarë”, theksoi presidenti i zgjedhur Ilir Meta.

“Unë nuk kam qenë ndërmjetësues i kësaj marrëveshjeje, por ju e dini që kam qenë imponuesi i saj, bashkë me LSI-në, bashkë me PDIU-në dhe të gjithë partitë e tjera, si nga e majta, ashtu edhe nga opozita”, shtoi më tej Meta.

Por përse e takoi Berishën?

“Zoti Berisha është dobësia ime dhe në çdo kohë unë jam i gatshëm që ta ndiej këtë kënaqësi”, u përgjigj Meta.

Befasinë, me të cilën bëri marrëveshjen larg Ilir Metës, Edi Rama e vazhdoi edhe te ndryshimet në qeveri.

Një burim i tha Top Channel se largimi i kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, nga kabineti, ishte bërë pa e njoftuar atë, ose Ilir Metën. Duket se tensioni i një ditë më parë, kur LSI dhe PDIU, dy aleatë në qeveri shtuan presionin ndaj Edi Ramës për të pranuar paketën “McAllister” i dha rezultatet të enjten paradite.

Petrit Vasili nuk e fshehu ironinë ndaj Edi Ramës, por edhe ndaj Lulzim Bashës dhe kauzës së çadrës.

“I uroj kësaj të fundit, që në 7 ditët e çmuara të shtyrjes së zgjedhjeve të realizojë objektivat e saj për standardet e zgjedhjeve, luftën kundër drogës dhe dekriminalizimin”, tha në një reagim Vasili.

Top Channel