Lesi: Basha bëri pazar me çadrën

18/05/2017 00:00

Nikollë Lesi e quajti “pazar” marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës. Duke folur në Top Story këtë të enjte, ai tha se nga ky pakt e pësojnë partitë e vogla.

“Lulzim Basha bëri pazar me çadrën! E shiti çadrën. Rama i dha 6 ministra, por i dha edhe ca drejtori për akuza për lidhje me tendera dhe korrupsion. Ky është një pazar mes tyre dyve që do ta pësojë Mediu dhe Agron Duka”, tha Lesi.

Sipas Lesit, ky “pazar” shkon përtej zgjedhjeve të 25 qershorit.
 
“Pazar që do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, synimi është për të shkrirë të gjitha partitë e tjera dhe të qeverisin edhe pas 25 qershorit. Ky është pazar dhe jo pakt”, deklaroi ai.

Ana pozitive e këtij pakti, sipas Lesit, është shmangia e destabilizimit të vendit.

“Kjo marrëveshje eleminoi destabilitetin dhe rrëmujën e 18 qershorit, që do të kishte përplasje fizike mes mazhorancës dhe opozitës, por për parime, Basha nuk mund të flasë se u qëndroi parimeve të çadrës. Nga ky pakt ka fituar Rama, Basha ka humbur nga kjo”, deklaroi ai. 

Top Channel