Ahmetaj, mesazhi i largimit: I nderuar që shërbeva në qeveri. Shihemi në fushatë

18/05/2017 00:00

Arben Ahmetaj është i pari nga ministrat e qeverisë, që largohen si rrjedhojë e marrëveshjes Rama-Basha.

Ministri i Financave thotë se është i nderuar që në 3 vite e gjysmë shërbeu në Qeverinë “Rama”, duke u bërë pjesë e një procesi historik transformues për Shqipërinë.

Sipas tij, “asnjëherë në demokraci nuk pati kaq shumë kurajo, vizion dhe përkushtim për të ndërtuar mbi shkatërrimin, për t’u ngritur mbi pluhurin që trashëguam nga paraardhësit tanë në qeveri, për ta shpëtuar vendin nga një faliment i dytë, gati i sigurtë, në kurriz të qytetarëve”, siç shprehet ai.

Ahmetaj falënderoi bashkëpuntorët me të cilët ndau sfidën për t’i rikthyer ekonominë dhe financat publike në kontroll.

“Sot kemi një rritje pothuaj 4 herë më shumë sesa ajo që gjetëm, kemi financa publike të shëndetshme dhe të konsoliduara, kemi një borxh publik që vazhdon trajektoren rënëse, kemi reforma që po shpërblejnë ditë për ditë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, kemi për herë të parë në 25 vite, një vit elektoral me suficit buxhetor, me të ardhura që rriten, me borxh në ulje, me ekonomi të stabilizuar”, përfundon mesazhi i Ahmetaj, bashkë me përshëndetjen “shihemi në fushatë”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel