Zhvillimi jashtë qendrave. Zvicra dhe Austria japin 3 milionë euro

17/05/2017 00:00

Mbi 3 milionë euro është shuma që qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë bashkëfinancojnë për zhvillimin e zonave larg qendrave të mëdha urbane.

Një pjesë e fondit do të përfitohet në formë grantesh nga pushteti vendor për projekte komunitare.

Christoph Graf, ambasador i Zvicrës, tha: “Ndihmojmë pushtetin vendor të thotë fjalën e tij. Një grup bashkish mund të hartojnë projekte të përbashkëta, për shembull në sektorin e mbetjeve, ose projekte në furnizimin me ujë apo kanalizimet e ujërave të zeza. Pra, bashkitë duhet të bashkojnë forcat për të hartuar projekte në nivel rajonal. E gjithë kjo pasi të jetë pyetur komuniteti për rëndësinë e këtij investimi, pra një mënyrë vendimmarrjeje nga poshtë-lart”.
 
Projektet do t’i paraqiten për aprovim bordit të 4 agjencive rajonale. Ambasadori Graf thotë se fondi synon të arrijë kryesisht zonat e neglizhuara. 

“Objektivi kryesor është të ketë një balancë të zhvillimit mes rajoneve sepse jo të gjitha zhvillimet ekonomike ndodhin në Tiranë, por ka edhe zona të tjera me potencial në bujqësi për shembull, Peshkopia ose veriu i vendit, Shkodra, mund të prodhojnë më shumë”, u shpreh Graf.

Projekti do të mbështesë qeverinë edhe në hartimin e legjislacionit për zhvillimin urban.

Top Channel