Transportonte kanabis, shqiptari braktis makinën në autostradë

17/05/2017 00:00

Autoritetet policore greke kanë nisur një operacion për kapjen e një shtasi shqiptar, 35 vjeç, pasi sipas policë së Janinës u konstatua se po transportonte kanabis me një automjet që prej verifikimeve rezultoi të ishte i vjedhur një muaj më parë në Athinë.

Sipas polisë, mbasditen e së mërkurës, një patrullë e policisë rrugore i bëri shenjë dhe ndaloi një automjet të markës “Toyota” që po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara në aksin që lidh Janinën me Trikallan, në vendin e quajtur Tuneli i Mecovos.

Mbasi e ndaluan dhe po kontrollonin dokumentat e automjetit, drejtuesi i saj u largua me shpejtësi, duke lënë në duart e policëve dokumentat e tij personale dhe patentën.

Automjeti u gjet i braktisur pak kilometra më tej, ndërsa 35-vjeçari ishte larguar pa lënë gjurmë. Identiteti i tij u zbulua edhe prej shenjave të gishtërinjve që kishte lënë në automjetin e braktisur dhe iu shpërnda pikave kufitare me Shqipërinë.

Në bagazhin e automjetit u gjetën dy çanta me 43.3 kilogramë kanabis të paketuar në 26 pako. Automjeti dhe sasia e lëndës narkotike u sekuestruan, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në zonë për gjetjen dhe arrestimin e trafikantit.

Top Channel