PS: Të gjitha garancitë për opozitën më 18 qershor

17/05/2017 00:00

Partia Socialiste ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit për ngërçin politik.

Në deklaratën e saj thuhet se “mbështet këtë përpjekje të fundit dhe do të presë me durim, duke shpresuar deri në sekondën e rënies së gongut të fushates zyrtare, për një rezultat pozitiv në funksion të përfshirjes së PD-së në zgjedhje”.

Deklarata e plotë e Partisë Socialiste
“Partia Socialiste shpreh keqardhjen për abuzimet mediatike të të ashtuquajturit koalicion opozitar, me një proces shumë serioz dhe delikat përpjekjesh për ta kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes.

Angazhimi në këto përpjekje edhe i partnereve strategjikë amerikanë, pas ezaurimit të të gjitha përpjekjeve të miqve e partnerëve europianë të Shqipërisë (dhe të vetë Partisë Demokratike), është mirëpritur dhe konsiderohet prej nesh si mundësia e fundit për Partinë Demokratike për të hequr dorë nga shantazhet e rrugës dhe për t’u kthyer në rrugën e garës demokratike.

Partia Socialiste e mbështet fuqimisht këtë përpjekje të fundit dhe do të presë me durim, duke shpresuar deri në sekondën e rënies së gongut të fushatës zyrtare, për një rezultat pozitiv në funksion të përfshirjes së PD-së në zgjedhje. Për Partinë Socialiste, rezultat pozitiv do të thotë garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të Kushtetutës, ligjit, interesit të qytetarëve shqiptarë dhe sugjerimeve dashamirëse të partnerëve tanë ndërkombëtare.

Filozofia e Partisë Socialiste, e mishëruar në programin e në betejë e përditshme të qeverisë sonë për të bërë shtet, nuk përjashton askënd dhe për asnjë arsye. Rregullat e bashkëjetesës demokratike, nuk vlejnë vetëm për qytetarët po edhe për partitë politike. Asnjë parti politike dhe as të gjitha partitë politike së bashku, nuk mund të pretendojnë as të dalin mbi këto rregulla, e as të bëjnë pazare me këto rregulla. Përkundrazi, Partia Socialiste beson, se duhet të jetë forca e shembullit në përpjekjen për të bërë shtet dhe jo shembulli i forcës që thyen rregullat që asnje qytetari nuk i lejohet të thyejë.

Shqipëria Europiane për Partinë Socialiste nuk është sllogan, po një shtet dinjitoz, ku askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin”.

Top Channel