Orët e fundit të negociatave, burimi: Besim te marrëveshja

17/05/2017 00:00

Negociatat mes palëve hyjnë në orët e fundit, me ndërmjetësimin amerikan, para se në mesnatë të hyjë në fuqi fillimi i fushatës elektorale.

Dita ka qenë e ngarkuar me deklarata dhe kundërdeklarata dhe me një konfuzion lidhur me ofertat në tavolinë.

Fillimisht ishte Partia Demokratike që deklaroi, sipas saj, detajet dhe pranoi se ishte dakord për paketën “McAllister”.

Pas saj, dy parti të koalicionit qeverisës përshëndetën këtë dhe kërkuan që tashmë të gjithë ta pranonin këtë ofertë. Duket se përveç detajeve të vogla megjithatë, thelbi mbetet data e zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe aleatët indirekt duke pranuar “McAllister”, pranojnë datën 18 korrik, por Top Channel ka mësuar se Kryeministri nuk heq dorë nga kushtetueshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve brenda muajit qershor.

Një burim diplomatik i përshkruan negociatat shumë të vështira, por i pohon Top Channel se ende ka besim se marrëveshja do të arrihet.

Top Channel