Negociata virtuale, Basha me letër, Rama në “Twitter”

17/05/2017 00:00

Pasi bëri publik qëndrimin e partive të opozitës, të cilat i thanë “Po” paketës “McAllister Plus”, që u prezantua nga zyrtari amerikan, Yee, dy ditë më parë në Tiranë dhe pas një takimi me ambasadorin Donald Lu në zyrën e tij, Lulzim Basha i nisi një letër kryeministrit Edi Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike i shkruan se opozita ka pranuar prej mesditës së të martës pa kushte propozimin e integruar të prezantuar si zgjidhje për krizën politike nga ndihmës zv/sekretari amerikan i Shtetit.

Basha i kërkon Kryeministrit që të konfirmojë publikisht pa kushte propozimin e SHBA, që siç thotë, për t’i hapur rrugë zbatimit të kësaj pakete me qëllim garantimin e kushteve për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

Basha shpreh bindjen se propozimi amerikan përbën rrugën e duhur për zgjidhjen e krizës, ndaj konfirmon implementimin e plotë të saj pa asnjë vonesë.

Përgjigjja e Kryeministrit ishte përmes “Twitter”-it, pas një takimi që pati me ambasadorin amerikan Donald Lu.

“Lulzim Basha, mos fol në emër të SHBA, se flasin vetë! Lëri letrat publike dhe mos u fshih pas McAllister. Fokusohu tek oferta që ke në tryezë”, ishte reagimi i shkurtër i Kryeministrit. 

Top Channel