Për tre ditë me radhë nga data 19-21 maj Gjirokastra do të mbulohet nga fustanellat e bardha me pala, simboli i polifonisë labe në eventin “Fustanella Festival”.

Ky festival, i pari i këtij lloji, synon të bëjë bashkë jo vetëm në veshje por edhe në materiale muzikore, grupe nga shtete të ndryshme nën një ombrellë të përbashkët: fustanellën.

“Ideja ishte që të marrim një simbol identitar. Në Gjirokastër morëm një simbol estetik, siç është fustanella. Mund të them që ka qenë produkti më trendi i modës shqiptare për disa shekuj me radhë. Kemi marrë këtë simbol estetik të lartë të shqiptarëve dhe duam ta ngremë aty ku e meriton. Edhe grupet muzikore kanë lidhje shumë më fustanellën”, thotë Olsi Sulejmani, organizator i festivalit.

Ministrja e Kulturës e cilësoi një zbulim mënyrën e organizimit të këtij festivali duke vënë theksin tek skenografia e tek diversiteti i grupeve pjesëmarrëse.

“E bukura e këtij festivali 3-ditor që do të gjallëroje jo vetëm Gjirokastrën, por të gjithë jugun dhe do të tërheqë Tiranën është se mbledh bashkë grupe të viseve të ndryshme nga Indonezia, Italia, Britania e Madhe e deri në Marok. Është shumë interesante të shikojmë se ato që ne i mendojmë se i kemi vetëm unikale shqiptare, janë ura lidhjeje kulturore edhe me vende të tjera duke qenë se elementet polifonikë i gjejmë edhe në kultura të tjera”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Kodi i veshjes për të gjithë pjesëmarresit do të jetë fustanella për t’u ardhur në ndihme edhe grave artizane të Gjirokastrës.

Top Channel