Fushata, Vasili: LSI, shans për të gjithë; Klosi: PS, mandat të dytë

17/05/2017 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi kandidatët për deputetë në Bashkinë e Vorës. Petrit Vasili tha se LSI synon t’u japë hapësirën që duhet të rinjve, si e vetmja mënyrë sipas tij për të ecur përpara dhe për një Shqipëri që ndryshon.

“LSI nuk ka qenë parti e fjalëve, ka qenë parti e veprave konkrete. Të ecim më shpejtë për të krijuar një shans për të gjithë. S’mund të ketë një Shqipëri që ndryshon dhe që ecën përpara pa të rinjtë”, deklaroi Vasili.

Klosi: PS, mandat të dytë

Në takimin elektoral në Kutalli, në Bashkinë e Urës Vajgurore, Blendi Klosi tha se kriza politike nuk do ta pengojë Partinë Socialiste të dëgjojë qytetarët. Ai foli për prioritetet e Partisë Socialiste në një mandat të dytë të mundshëm në katër vitet e ardhshme.

“Nuk presim vendimmarrjen e PD që të dalë nga bunkeri prej plastmasi, ne do të shkojmë shtëpi më shtëpi. Ne do të vazhdojmë të bëjmë shtet. Në mandatin tonë të dytë vëmendja do të jetë tek fshati”, tha Klosi.

Kodheli: Pse Basha s’duhet të qeverisë

Si kryesuese e listës së socialistëve në Kukës, Mimi Kodheli zhvilloi takim me banorët në Bardhoc dhe Shtiqen. Kodheli u renditi të pranishëmve disa arsye se përse Lulzim Basha nuk duhet të qeverisë Shqipërinë.

“Unë nuk besoj se shpresën e jep ky djali i ri që xhiron bosh aty te plastmasi, kur me vota të vjedhura ka qeverisur Tiranën. Absolutisht këtë e di si buka që ha përditë. Një herë ka pasur gisht në Rrugën e Kombit dhe i ka mbi kurriz nja 250 milionë euro dhe unë që kam qenë bankiere dikur, mendohem mirë kur e them këtë shifër”, tha Kodheli.

PS, prezantohen kandidatët e Gjirokastrës

Në Gjirokastër, Partia Socialiste mblodhi përkrahësit e saj, të cilëve u prezantoi kandidatët për deputetë. Bledi Çuçi tha se çdo emër i Partisë Socialiste në zgjedhje do të jetë i denjë për të vijuar transformimin e Gjirokastrës.

“Skuadra e kandidatëve do të jetë garanci për vijimin e transformimit të Gjirokastrës. Investuam 50 milionë euro ne 3 vjet e gjysmë. Mandatin tjetër do rrisim punësimin”, tha Çuçi.

Top Channel