Ata rikthehen sërish pas shumë vitesh në të njëjtën skenë mbrëmjen e 15 majit, jo si pjesë e një festivali, por në një koncert të përbashkët për të gjithë admiruesit e muzikës së tyre që për hir të së vërtetës janë të shumtë në numër.

“Është punuar goxha shumë në kokat tona në radhë të parë, sepse kemi shumë vite që e mendojmë ta bëjmë kështu siç donim. Një aktivitet më të thjeshtë e kishim bërë me kohë, por donim në një përmasë të madhe, në një përmasë gala, ku interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, e ku biletat janë shitur pothuajse që në dy ditët e para”, thotë Redon Makashi.

Regjisorë të shfaqjes janë vetë ata duke përgatitur gjithçka, sipas mënyrës së tyre duke nisur që nga ndriçimi e deri tek skenografia për të sjellë siç duhet atë që dinë të bëjnë më mirë; muzikën rock.

“Vajti një kohë e gjatë që ne prisnim të kishim këtë lloj aktiviteti gala mund të them, ku fansat tanë e kanë pritur me kohë këtë koncert e shpresoj që do t’i kënaqim me lloj-lloj emocionesh: pak baladë, pak rock, pak nga të gjitha. Plus jemi tre këngëtare me vokale specifike. Kemi program veç e veç, si solistë, por edhe bashkarisht me tre zërat dhe është punuar shumë për këtë aktivitet”, shton këngëtari Redon Makashi.

Pas koncertit në Tiranë, “Tre Muskëtierët’ do ta çojnë atë në Itali, Greqi e Kosovë.

Top Channel