Barça-Real, 270 minutat që vendosin trofeun e kampionit në La Liga

15/05/2017 00:00

Barcelona dhe Reali i Madridit fituan 4-1 në ndeshjet e tyre respektive me Las Palmasin dhe Sevillan, duke bërë që fati i titullit kampion të vendoset në javën e fundit, me Realin që ka edhe një ndeshje të prapambetur me Celta Vigon në mesjavë.

Katalanasit dhe “Los Blancos” janë në kuotë të barabartë pikësh, 87, me Barcelonën që për momentin mban vendin e parë për shkak të golavarazhit më të mirë. Për të fituar këtë titull, që i mungon që nga viti 2012, Reali i Madridit nuk varet nga askush përveç vetes, ndërkohë që në krahun tjetër, Barcelona duhet të monitorojë ndeshjet e rivalit të saj.

Skuadra katalanase do të shpallet kampione e Spanjës për të shtatën herë në 9 sezonet e fundit, nëse fiton ndaj Eibarit në “Camp Nou” te dielën, e nëse Reali barazon në dy sfidat që i kanë mbetur, ose humbet në njërën prej tyre.

Këtë të mërkurë, skuadra e Zinedine Zidane do të luajë në “Balaidos” ndaj Celta Vigos ndeshjen e prapambetur, ndërkohë që të dielën do të luajë në fushën e Malagës, gjë që do të thotë se Realit të Madridit i mjaftojnë 4 pikë për t’i rrëmbyer Barcelonës fronin e kampionit të Spanjës.

Top Channel