Vettel i kënaqur: Ferrari i këtij viti, më i miri

12/05/2017 00:00

Sebastian Vettel nuk i ka kursyer komplimentet për skuadrën e Ferrarit, për punën e bërë këtë vit duke i vënë në dispozicion një makinë shumë më të mirë, në krahasim me të kaluarën.

“E kemi vënë re prej kohësh rëndësinë që ka njësia e fuqisë së motorit në makinë”, tha Vettel gjatë një ngjarjeje promovuese për një nga sponsorët.

“Është e nevojshme që të kemi një motor të fortë, një makinë të mirë, me aerodinamikë po aq të mirë. Skuadra është përpjekur për të krijuar një makinë të tillë, e këtë vit duket se ia ka dalë mbanë. Mendoj se të gjithë po i gëzohemi makinë së këtij viti”, shtoi Vettel.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte padyshim edhe Kimi Raikkonen, i cili foli për raportet që ka ai me Sebastian Vettel.

“Me Vettel kam pasur gjithnjë marrëdhënie të mira. E njihnim pak njëri-tjetrin përpara se të bëheshim shokë skuadre. Sigurisht, kur jemi në pistë rivalizojmë, por mund të punojmë hapur së bashku dhe kjo sjell vetëm përfitime për skuadrën. Secili nga ne do të fitojë, por rivaliteti ynë në pistë është i shëndetshëm”, tha Raikkonen.

Më pas, Vettel e Raikkonen u bashkuan me emra të tillë, si Fernando Morientes, Marcos Senna e Christian Karembeu, për të zhvilluar një ndeshje futbolli në afërsi të pistës së Montmelosë.

Top Channel