“Giro d’Italia”, Zhupa ndihmon ekipin në etapën e shtatë

12/05/2017 00:00

“Xhiroja e Italisë” uli siparin e etapës së 7 të një prej ngjarjeve më të rëndësishme për botën e çiklizmit, e ashtu si në shumicën e programit të deritanishëm, protagonist ishte dhe shqiptari Eugert Zhupa.

Sportisti i skuadrës “Wilier Triestina”, që ka spikatur në disa fraksione me një garë fenomenale, të cilën mediet e kanë quajtur “arrati mbi dy rrota”, ka qenë një mbështetje kryesore për rezultatet ekipore.

Eugert Zhupa pilotoi pretendentin kryesor të ekipit, Jakub Mareczko, që edhe pse nuk ia doli të ngjitej në podium, koleksionoi bashkë me shqiptarin kohë të çmuar. Në finishin e qytetit simpatik Alberobello, sportisti kuqezi u rendit në vendin e 99, me një kohë totale 5 orë, 35 minuta e 35 sekonda.

Ndërkohë, në diskutimin për kreun, Caleb Ewan arriti të fitonte etapën e 7 të “Xhiros së Italisë”, të gjatë 224 kilometra. Australiani i skuadrës “Orica-Scott” ia doli vetëm për pak sekonda të vidhte shkallën më të lartë të podiumit, ndaj favoritit Fernando Gaviria, që e mbylli i dyti, para Sam Bennett.

Etapa e radhës do të mbajë çiklistët në zonën e bukur të Puglias. Në program është cirkuiti i gjatë 189 kilometra, nga Molfetta në qytetin e Peschici.

Top Channel