Mastersi i Madridit, Nadali kualifikohet me vështirësi

11/05/2017 00:00

Rafael Nadal vuajti, por arriti të kualifikohej për në raundin e tretë të Turneut Masters të Madridit.

Tenisti spanjoll, i cili konsiderohet si një prej favoritëve për të fituar titullin, arriti të mposhtë italianin Fabio Fognini me rezultatin 2-1, në një ndeshje që zgjati rreth 3 orë. Seti i parë ishte një maratonë e vërtetë, me të dy tenistët që bënë gabime të shumta, sidomos në turnet e shërbimit të tyre, por në fund ai që e fitoi këtë fraksion ishte Nadal, i cili arriti ta mbyllë atë pas “tie break”-ut me rezultatin 7-6.

Në setin e dytë, Fognini ishte më agresiv në fushën e lojës dhe arriti ta fitojë atë 6-3, për ta çuar ndeshjen në set final. Edhe ky fraksion ishte dramatik, por në fund suksesi shkoi për tenistin spanjoll, kundërshtari i radhës i të cilit do të jetë australiani Nick Kyrgios.

Suprizën e ditës në turneun Masters të Madridit e shkaktoi Benoit Paire, i cili eliminoi zviceranin Stanislav Wawrinka, teksa e mundi 2-1. Francezi fitoi setin e parë 7-5, por Wawrinka barazoi gjithçka, duke fituar të dytin 6-4. Në setin final, Paire u shfaq në një formë shumë më të mirë se zvicerani, duke e fituar atë 6-2 dhe krejt ndeshjen 2-1.

Top Channel