“Fundi…” i Joni Krajës

11/05/2017 00:00

Një diptik në format të madh, ku ngjyrat derdhen mbi kanavace duke krijuar përshtypjen se abstraktja dhe e pandërgjegjshmja vijë më afër realitetit. “Ky është fundi” i ka titulluar dy veprat Jon Kraja në ekspozitën e çelur rishtas, ku emocionet janë të ndryshme, sipas perceptimeve të gjithkujt.

“Mund të jetë fundi i botës, mund të jetë fundi i dashurisë, mund të jetë fundi i një bisede që nis mirë e mbaron keq, mund të jetë fundi i një romance. Çdo njeri mund ta interpretojë sipas mënyrës së vet. Në momentin që punoj, fokusohem më tepër tek marrëdhënia që kam me telajon dhe fokusohem më tepër tek marrëdhënia e ndjenjës, e gjendjes shpirtërore që përjetoj”, shprehet piktori Jon Kraja.

Diptiku bën pjesë në ciklin prej 25 punësh, nga të cilat Jon Kraja ka shkëputur këto 2 kuadro, që sipas tij, qëndrojnë më mirë me punët e artistes Eleonore Josso, e cila viziton Shqipërinë për herë të parë, si pjesë e Bienales së Mesdheut.

“Shqipëria më ka surprizuar. Para se të vija këtu nuk e dija se çfarë më priste. Kam gjetur dashamirës për të cilët kam sjellë peizazhet e mia. Konceptimi i këtyre pikturave është një konceptim mbi peizazhin, një reflektim i botës orientale me atë oksidentale. “Milk Run” është një ide rreth arkitekturës në mënyrën se si kjo e fundit integrohet me malet. I referohet personave që transportojnë qumështin nga malet. Ata zbresin nga fermat për ta shitur në qytet dhe kjo lëvizje e tyre përcillet përmes pikturës sime”, thotë piktorja Eleonore Josso.

Ekspozita e përbashkët vjen nga dy artistet si një ftesë për reflektim për gjatë gjithë muajit maj në “Galerine 70” të Artit Kontenporan.

Top Channel