F1, nis rrugëtimin “Fan Festival”

11/05/2017 00:00

Pronarët e rinj të Botërorit të Formulës 1 kërkojnë që të përfshijnë akoma më shumë admiruesit e këtij sporti.

Për këtë arsye, në Barcelonë, ku do të zhvillohet edhe ndalesa e radhës së këtij kampionati, do të përurohet “Fan Festival”, ku të gjithë tifozët do të kenë mundësinë të marrin pjesë në simulimin e garave, në sfidën e “pit stop”-eve, ndërkohë që nuk do të mungojnë as performancat e DJ të ndryshëm spanjollë.

Në të njëjtën kohë, do të krjohet edhe një kanal televiziv dedikuar pikërisht tifozëve, ku do të transmetohen intervistat e pilotëve, por edhe opinionet e ekspertëve.

Surprizat nuk ndalen këtu. Admiruesve të Formulës 1 do t’u jepet mundësia që të fitojnë çmime gjatë këtij evenimenti, ku përfshihen vizitat në bokse dhe kryerja e fotografive, ndërkohë që është rezervuar edhe çmimi i madh për kryerjen e një xhiroje në pistë, nëpërmjet një makine garash 2-vendëshe.

“Synimi ynë është që të afrojmë tifozët akoma më shumë me Formulën 1 dhe të rrisim prestigjin e këtij sporti. “Fan Festival” këtë fundjavë do të nisë një udhëtim të gjatë dhe ne jemi shumë të lumtur që gjetëm mënyrën për të gjallëruar akoma më shumë garat e këtij kampionati”, tha Drejtori Komercial në Formula 1, Sean Bratches.

Top Channel