Veliaj: Çdo ndërtim i ri, akses të plotë për PAK

10/05/2017 00:00

Çdo ndërtim i ri në Tiranë do të ketë akses të plotë për personat me aftësi të kufizuar. Kështu është shprehur kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në aktivitetin me temë “Të ndryshëm por të barabartë”.

Kryebashkiaku theksoi se për herë të parë, në pesë kopshte të Tiranës janë krijuar hapësira të veçanta të dedikuara për fëmijët me aftësi të kufizuara, projekt që po shtrihet edhe në çerdhe dhe në kopshtet e tjera të kryeqyteit.

“Bashkia ka pasur në fokus fëmijët. Për herë të parë kemi dalë nga logjika e të menduarit për zgjedhjet e ardhshme, por kemi futur logjikën e të menduarit për gjeneratën e ardhshme dhe kjo është arsyeja pse viti i parë ka qenë një vit ku u fokusuam në kopshte dhe në çerdhe, në rehabilitimin e plotë të tyre. Për herë të parë në 5 kopshte të Tiranës kemi hapësira dhe mësues të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara, kryesisht me Sindromën Dovvn apo autikë, të cilët kanë një kujdes special, por në çerdhe dhe në kopshte me gjithë të tjerët”, tha Veliaj.

Veliaj tha se po punohet që të krijohen lehtësi për aksesin e personave me aftësi të kufizuara në godinat ekzistuese, ndërkohë që është bërë i detyrueshëm që çdo godinë e re të garantojë akses të plotë.

“Kemi filluar të garantojmë aksesin në godinat ekzistuese në Tiranë. Është bërë i detyrueshëm që çdo ndërtim i ri në Tiranë nga tani e tutje, të garantojë aksesin e plotë për personat me aftësi të kufizuara. Bashkia do të bëhet e aksesueshme, ndërsa investojmë në një qytet që bëhet gjithmonë e më i aksesueshëm”, tha ai.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash lehtësuese edhe në fushën e transportit dhe infrastrukturës, në mbështetje të PAK.

Një tjetër çështje ku u ndal Kryetari i Bashkisë, ishte dhe çështja e punësimit. Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës synon promovimin e jetesës së pavarur nëpërmjet aftësimit për jetën dhe aftësimit për punësim, përmes pjesëmarrjes së tyre në programet e nxitjes së punësimit, programe që u mundësojnë të rinjve të fitojnë përvojë profesionale në sektorin privat dhe publik.

Top Channel