Belotti te Milan, “hashtag”-u që po “bombardon” rrjetet sociale

10/05/2017 00:00

Një lëvizje mbarëpopullore për një objektiv të vetëm. Transferimin e një “ylli” në “San Siro”, me destinacion kuqezinjtë e Milanos.

Kjo është lëvizja e fundit e tifozëve të Milanit nga e gjithë bota, të cilët kanë shpërthyer me hashtagun #belottimilan nëpër rrjetet sociale, pavarësisht se Fassone dhe Mirabelli janë duke shqyrtuar mundësitë për Aubameyang apo Moratën, programonin takime për Luiz Gustavo dhe Ricardo Rodriguez, ndërsa i afroheshin edhe më shumë Kessie dhe Musacchios.

Në prag të fillimit të tratativave të merkatos verore, duke nisur nga fundi i këtij sezoni, fushata nëpër rrjetet sociale ka një synim të qartë: të bindin drejtuesit kuqezi të fokusohen vetëm te Andrea Belotti i Torinos. Hashtagu #belottimilan ka nisur në fillim të majit dhe brenda pak kohësh, qindra persona kanë shkruar dhe replikuar në lidhje me këtë temë. Por dje, më 9 maj, fenomeni ka arritur ndikimin më të madh.

Belotti, përmes llogarisë së tij personale në Instagram ka publikuar një foto me të fejuarën. Tifozët e Milanit, ndërkohë, duket se nuk ia kanë hedhur fare sytë Giorgias, nuk kanë komentuar as për syzet apo veshjen e lojtarit, as për sfondin panoramik të fotos. Thjesht janë nxitur të shkruajnë në një foto që mori mbi 50 mijë pëlqime dhe mbi 900 komente, shumica e të cilave monotone. Situata ngjasonte me periudhën e një fushate zgjedhore…

Hashtagu arriti deri në 4 milionë ndërveprime brenda javës, është parë nga mbi 1.6 milionë persona dhe, pavarësisht se nuk është përfshirë në temat kryesore në “Twitter”, lëvizja duket ende tejet popullore dhe domethënëse.

Belotti e ka shprehur edhe në të kaluarën se është tifoz milanist, e që i vogël mbante fanellën e Shevchenkos e bënte foto me Paolo Maldinin apo Pippo Inzaghin. Detaje që e bëjnë atë të preferuarin e milanistëve. Një qendërsulmues që ndihmon skuadrën, por edhe pjesë e kombëtares së Italisë. Jo më pak i rëndësishëm është detaji i golave. Belotti ka shënuar 36 të tillë në Serie A në dy sezonet e fundit, ndërsa me Italinë ka gjetur fundin e rrjetës me Lihtenshtajnin dhe Maqedoninë. Janë kaq shumë gola, saqë kalojnë edhe ato të shënuara nga Bacca dhe Lapadula së bashku.

Por ka një pengesë, jo të vogël, e kjo është kërkesa e Cairos, presidentit të Torinos, ose më saktë klauzola për prishjen e kontratës: plot 100 milionë euro. Milani ka biseduar javët e fundit edhe me Belottin, sikurse edhe me shumë lojtarë, por është fokusuar tek Aubameyang dhe Morata mbi të gjithë. Torino, gjithashtu, nuk kërkon të tolerojë dhe do ta mbante me kënaqësi edhe 12 muaj të tjerë, por edhe deri më tani ka refuzuar oferta të shumta nga skuadrat jashtë Italisë.

Top Channel