Tenis, turneu i Madridit, kualifikohen Tsonga dhe Bouchard

09/05/2017 00:00

Jo Wilfried Tsonga e Grigor Dimitrov  kualifikohen për në raundin e dytë të turneut të Madridit. Tenisti francez mundi me shumë vështirësi Andrey Kuznetsov me rezultatin 2-1 në një ndeshje që zgjati rreth 3 orë.

Francezi fitoi setin e parë 7-6, por humbi të dytin 6-7. Në setin final Tsonga arriti të mposhtë Kuzmetsov 7-5 për të siguruar një përballje me spanjollin David Ferrer. Grigor Dimitrov eliminoi në raundin e parë Philip Kohlschreiber duke e mundur gjermanin në 2 sete 7-6 dhe 6-4. U kualifikua për në raundin e dytë të turneut të Madridit edhe Nick Kyrgios i cili fitoi ndaj qipriotit Marcos Baghdatis 2-0 me sete 7-6;6-4.

Në kampin e femrave, Eugenie Bouchard  arriti të thyejë Maria Sharapova-n për herë të parë në një ndeshje dramatike, një fitore kjo që erdhi vetëm pak ditë pasi kanadezja u deklarua kundër kthimit në fushat e lojës së tenistes ruse duke e cilësuar si mashtruese.

Bouchard fitoi setin e parë 7-5, por Sharapova barazoi gjithçka duke fituar të dytin 6-2. Në setin final kanadezja fitoi një game me shërbimet e ruses për ta mbyllur atë 6-4 dhe krejt ndeshjen 2-1. Kundërshtarja e radhë së Bouchard do të jetë gjermania Kerber.

Top Channel