Interi shkarkon trajnerin Pioli

09/05/2017 00:00

Stefano Pioli shkarkohet nga drejtimi i Interit kur kanë mbetur edhe 3 javë nga mbyllja e kampionatit.

Klubi zikaltër e komunikoi largimin e trajnerit italian nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku e falenderonte Piolin për punën e bërë në skuadër gjatë 6 muajve të qëndrimit të tij në stol.

Për 3 ndeshjet e mbetura në Serinë A, skuadra e Interit do të drejtohet nga Stefano Veki, ndërkohë që drejtuesve të klubit tashmë u duhet të përshpejtojnë hapat për gjetjen e trajnerit të ri.  

Stefano Pioli e mori drejtimin e Interit në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe u duk se për skuadrën gjërat po shkonin mirë. Por, në ndeshjet e fundit zikaltërit u zhytën në një krizë, duke regjistruar 2 barazime dhe 5 humbje, ku e fundit ishte ajo me Xhenoan, gjë që shtyu drejtuesit e Interit të merrnin vendimin për ta larguar nga drejtimi i skuadrës.

Ndërkaq, Interit do t’i bashkohet Valter Sabatini, i cili do të jetë në rolin e drejtorit teknik të skuadrës.

Top Channel