Aksi Milano-Romë, “lëvizje zinxhirë” të trajnerëve

09/05/2017 00:00

Në Serie A po përgatiten një sërë lëvizjesh zinxhirë të trajnerëve, e protagonistë janë bërë Milani, Roma dhe Interi.

Te kuqezinjtë po merr jetë ideja e sjelljes në stol të Roberto Mancinit, që do të thotë se Montella do të largohet. Ish-tekniku i Interit dhe Manchester City ka raporte të mira me një prej drejtuesve të kuqezinjve, Marco Fassone, me këtë të fundit që do të kërkojë të shfrytëzojë këtë fakt për ta bindur atë të vijë në Milanello.

Por ajo që mund të vendosë më shumë në këtë pikë është periudha e errët që po kalon Milani, që kulmoi me humbjen 1-4 ndaj Romës në “San Siro”, duke bërë që të tronditen ndjeshëm pozitat e trajnerit Montella.

Ky i fundit, nëse vërtet do të zëvendësohet nga Mancini, do të shohë që t’i hapen dyert e Romës për një rikthim vërtet të bujshëm. Por në këtë pikë, gjithçka do të varet nga e ardhmja e Luciano Spallettit, me këtë të fundit që po monitoron lëvizjet e Interit në kërkim të zëvendësuesit të Piolit.

Zikaltrit tashmë kanë nisur tentativat e tyre për Conten apo Simeonen dhe, nëse dështojnë në të dyja rastet, atëherë do të jetë Spalletti ai që do të ulet në pankinë.

Top Channel