Gilles Villeneuve, 35 vite nga shuarja e një miti që nuk vdes kurrë

08/05/2017 00:00

Më 8 maj të vitit 1982, në Zolder të Belgjikës u shua një prej pilotëve më të dashur dhe fisnikë të të gjitha kohërave, me Ferrarin. Vetëm 6 fitore të shënuara, por me një zemër që fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm, edhe për brezat e ardhshëm. Një hero pa kufij, autor i sipërmarrjeve të pamundura dhe incidenteve të tmerrshme, por gjithnjë besnik i “kokëkuqes”.

Kushedi si do të ishte sot dhe çfarë do të mendonte Gilles Villeneuve për Formulën 1 të ditëve të sotme. Me një teknologji tejet të avancuar, me një sistem DRS-je, por edhe me parakalime tejet të vështira. Por ai ishte një pilot që njihte edhe manovra të pamundura, kthesa ku nuk mund të mos shkrepje fotot që do të mbeteshin të papërsëritshme në të gjithë historinë.

Plot 35 vite më parë, Gilles dha sinjalin e kthimit në një legjendë. Drama e atij fluturimi pas përplasjes me Jochen Mass është ende një vegim në sytë dhe zemrat e të gjithëve. Në fakt ishte fluturimi i fundit i “Aviatorit”, një pseudonim që edhe atij vet nuk i pëlqente. E të mendosh se Mass kishte qenë edhe shoku i tij i parë i skuadrës në Formula 1, plot 5 vite më parë, kur drejtori sportiv i McLarenit, Teddy Mayer donte t’i besonte makinën e tretë në pistën e “Silverstone”-it.

Do të kalonte vetëm pak kohë, përpara se Enzo Ferrari, që ishte fiksuar pas tij, e thërriti për të zëvendësuar Niki Laudën, gjest për të cilin u përball me shumë kritika, sepse kishte zgjedhur një të panjohur në vendin e një kampioni të dyfishtë të botës. Pas incidentit me “Tyrrell” në Fuji, që i kushtoi jetën një komisari dhe një fotografi, dukej se do të ishte fundi i karrierës së tij. Por Ferrari dukej se kishte spikatur diçka tek ai, diçka speciale që ishte vënë re vetëm nga Tazio Nuvolari.

Viti 1978 ishte edhe ai i fitores së tij të parë në Montreal, shtëpinë e tij. Një sezon i vështirë për Ferrarin atë vit, megjithatë Gilles diti si të futej në zemrat e tifozëve të “kokëkuqes”. Ashtu siç arriti të “kërcënonte” edhe Lotusin e Andrettit në Çmimin e Madh të Monzës. Viti 1979 ishte më i miri i tij, me 3 fitore, një botëror të dorëzuar me besnikëri ndaj shokut dhe mikut Jody Scheckte, por edhe dueli me Arnoux, performanca më e bukur e Formulës 1.

Viti 1981 spikati për garën në Monako, një vit përpara fitores së parë me Ferrarin “turbo”, ku nga një jopretendent në bordin e një “126 CK”, shpërtheu, por pa harruar perlën e tij të fundit në Jarama, ku kryesoi për 50 xhiro dhe la pas Laffite, Watson, Reutemann dhe De Angelis. Në këtë kohë, te Ferrari kishte mbërritur Didier Pironi (pilot), i cili krijoi menjëherë një raport të mirë me Villeneuve. Por deri pak përpara Çmimit të Madh të Imolës në vitin 1982, një ditë e vrazhdë, kur e parakaloi në xhiron e fundit, pavarësisht se nga skuderia i ishte dhënë sinjali për të ngadalësuar. Gilles, atë dite ishte shprehur se besnikëria e tij ishte tradhtuar. Ndaj dhe në Zolder, dy javë më vonë, tek ai mbizotëronte shpirti i hakmarrjes.

Kur kishin mbetur edhe 7 minuta nga provat zyrtare, Gilles ishte i teti, vetëm pak sekonda larg Pironit. Donte të bënte pikërisht një përpjekje të fundit, edhe pse gomat i kishte ezauruar, për të provuar të dilte përpara tij. Por fati duket se i trokiti në derë për t’i kërkuar “faturën”.

Shpesh shifrat nuk të japin ndonjë kënaqësi apo emocion domethënës. Por ato të Gilles dhuruan gjithmonë ndjenja të tilla, të cilat nuk mund të përshkruheshin me fjalë. Për të nuk mjaftojnë 6 fitore, dy “pole position” dhe 13 podiume. Për të mësuar më shumë për të, mjafton të pyesësh dikë që e ka parë të garojë. Në fjalët e këtij të fundit, me siguri do të gjeni thelbin e të jetuarit të Villeneuve, që dyshonte edhe tek ata që e këshillonin të ngadalësonte e të arsyetonte. Kjo, sepse ai jetonte vetëm për të ndierë motorin e makinës së tij teksa ushtronte forcë mbi shpatullat e tij. Jetoi si hero, me numrin 27 mbi “kokëkuqen” e tij, një numër që duket se thotë gjithçka.

Top Channel