“Rama dha më pak se McAllister”; thirrje për zgjidhje por: Të dielën në Kavajë

04/05/2017 00:00

Kavaja dhe protesta e thirrur nga opozita më 7 maj atje në orën 11 kanë qënë kryefjalë e grupit parlamentar demokrat në çadrën e opozitës.

Ish-kryeministri Berisha ka ftuar qytetarët t’i bashkohen opozitës në Kavajë të dielën, për ta rikthyer edhe një herë në kryeqytetin e demokracisë.

“Data 7 maj është një ditë historike në analet e demokracisë shqiptare. Pas 27 vitesh, Kavaja sërish bëhet kryeqyteti i demokracisë. Ndaj thirrja ime për qytetarët e Kavajës në lartësinë e idealeve të tyre është t’a shndërrojnë 7 majin me guximin, trimërinë, zgjuarsinë e tyre në ditën e ngadhnjimit të revolucionit mbi farsën elektorale. Paqësisht dhe me dinjitet të refuzojmë këtë farsë me të cilën Edi Rama ka vetëm një qëllim: të të konsolidojë narko-republikën, të konsolidojë narko-policinë, të konsolidojë narko-gjykatat, të konsolidojnë të ardhmen narkotike të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Në prani të kreut të komisionit të jashtëm të Parlamentit hungarez, Zsolt Nemeth dhe ambasadorit të këtij vendi në Tiranë, të cilët përcollën mesazhin e kryeministrit Viktor Orban, Berisha foli edhe për propozimet e PPE-së, për të cilat thotë se ishte Rama që nuk i pranoi.

“Tre ditë më parë deklaronte se unë do të bëj çfarë të thotë PPE-ja, kurse dje i thoshtë në takim Lulzim Bashës ‘as që i njoh fare ato propozime’. Edvin, mos i rri larg zgjidhjes politike, se alternativë do të kesh vetëm zgjidhjen fatale. Zgjidhje mëshire, por edhe mëshira ka një kufi, edhe ajo po u tejkalua, pastaj të pret fataliteti, të cilin e meriton në çdo formë”, tha Berisha.

Nga ana e tij, kryedemokrati Basha tha se, nëse për Parlamentin seanca e sotme është e fundit, për demokratët mbledhjet e grupit do të vijojnë në çadër, duke përsëritur edhe një herë se opozita nuk tërhiqet nga kërkesat e saj.

“Asgjë nuk kërkojmë për veten tonë, asgjë nuk jemi gati të lëshojmë nga garancitë minimale për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Top Channel