Nishani: BE-ja, sytë në Ballkan

04/05/2017 00:00

Në një intervistë për “Deutche Welle”, Presidenti Buajar Nishani ka kërkuar dhe një herë që Europa të mos humbasë vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se është e nevojshme që shoqëria evropiane të kuptojë pikësëpari se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit i përkasin në mënyrë të natyrshme identitetit evropian. Kjo është tepër e rëndësishme sepse na duhet të rrisim mirëkuptimin me njëri-tjetrin. Së dyti, mendoj se Evropa duhet ta mbajë gjallë këtë proces, procesin e integrimit evropian për Shqipërinë, dhe jo vetëm për të, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse procesi i integrimit evropian ka qenë dhe ende është mekanizmi më i mirë për të gjitha vendet dhe kombet në këtë rajon kaq të vështirë, për ripajtim mes tyre, për të arritur begatinë e për të punuar së bashku”, tha Nishani.

Duke u ndalur te përfitimet që Evropa ka nga anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, Nishani ka veçuar: “Në ditët e sotme, hapësira evropiane po përballet me shumë çështje shqetësuese si terrorizmi, valët e emigracionit të paligjshëm, refugjatët, e gjëra të tilla të ngjashme, ndryshimet klimaterike, varfërinë, kështu që si një krah i zonës evropiane, Ballkani, përfshi edhe vendin tim, Shqipërinë, mund të shërbejnë për të zgjeruar fushën e bashkëpunimit dhe të sigurisë. Me një fjalë, Ballkani dhe vendi im është udhëkryqi më i mirë për shkëmbimin e mallrave dhe bashkëpunimin ekonomik mes Evropës dhe kontinenteve të tjera. Kështu që besoj se ka një mundësi të vërtetë për kontribut nga vendi im dhe te vendet e tjera”.

Top Channel