Rama e Basha te Nishani. Kreu i PD-së qëndroi më gjatë

03/05/2017 10:05

Takimi me dyer të mbyllura dhe larg medias mes 2 liderëve të politikës shqiptare, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha në tryezën e përbashkët, thirrur nga Presidenti i Republikës, zgjati për mbi tre orë.

I pari në selinë e Presidentit Bujar Nishani, në orën 10:00, mbërriti kryeministri Edi Rama, i cili përshkoi në këmbë rrugën nga Kryeministria, ku ndodhet edhe çadra e protestës dhe hyri në selinë e kreut të shtetit për takimin me kryetarin e Partisë Demokratike. Rama shoqërohej nga Gramoz Ruçi dhe Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaci, i cili përpara Presidencës është larguar. Rama dhe Ruçi hynë brenda për takimin.

Pak më vonë, në Presidencë mbërriti Lulzim Basha. Të dy udhëtonin me një automjet dhe së bashku u futën në selinë e kreut të shtetit për takimin.

Për këtë takim, u lejua vetëm një mundësi e shkurtër për foto dhe pamje filmike dhe gjatë kësaj kohe nuk pati asnjë shtrëngim duarsh. Kamerat janë lejuar të filmojnë më pak se 2 minuta këtë takim, mjaftueshëm sa për të kuptuar se dy liderët kanë shmangur përgjatë kësaj kohe çdo shikim mes njëri-tjetrit.

Por, buzëqeshjet e shkëmbyera me Presidentin e Republikës nuk kanë munguar dhe kreu i shtetit edhe përgjatë këtyre minutave ka luajtur rolin e negociatorit duke biseduar herë me njërin e herë me tjetrin, ndërsa Paloka dhe Ruçi nuk janë bërë pjesë e bisedave të shkurtëra. Të katërt kanë mbërritur në tryezën e negociatave të Presidentit të Republikës me një dosje përpara, të cilin Basha nxitoi ta hapë përpara mediave.

I pari që ka lënë zyrën e Presidentit Nishani ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili sërish në këmbë i është drejtuar selisë së Kryeministrisë, shoqëruar nga Ruçi. Shumë pranë çadrës së opozitës, Rama ka përshëndetur protestuesit duke nxitur reagimin e tyre.

Lulzim Basha është larguar nga Presidenca rreth 50 minuta pas largimit të Ramës, pasi ka qëndruar në një takim kokë më kokë me kreun e shtetit, për tu larguar rreth orës 14:00 me Edi Palokën. Ende asnjë detaj nga takimi nuk dihet, por nga oxhaku i Presidencës nuk ka dalë as tym i bardhë e as i zi.

Top Channel