Juventus perfekt! Eksperienca mposht Monaco-n

03/05/2017 00:00

Një brazilian asiston, një argjentinas shënon, porta e mbrojtur nga një italian mbetet e paprekur. Këto ishin elementët e suksesit të “Zonjës së Vjetër” në principatën e Monaco-s.

Juventusi triumfoi pastër 0-2 në transfertë ndaj Monaco-s, duke hipotekuar finalen e Cardiff-it. Dani Alves dhuroi dy asiste fantastik për një “ujk të vjetër”, si argjentinasi Gonzalo Higuain, i cili nuk i fali vendasit, teksa e dërgoi dy herë topin në portën e tyre.

Monaco zhvilloi një 90 minutësh të mirë, duke krijuar disa raste për shënim, por pa mundur të thyejnë mbrojtjen dhe mbi të gjitha portierin legjendar Gianluigi Buffon, i cili pas këtij takimi e ka çuar në 624 minuta rekordin e bardhezinjve në këtë sezon pa pësuar gol në Champions League, si askush më parë.

Tashmë janë edhe 90 minuta për t’u luajtur ku mund të ndodh gjithçka, megjithatë mund të thuhet se Juventusi është “me një këmbë” në finalen e Cardiff-it.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel