“Giro d’Italia”, garon edhe çiklisti shqiptar Eugert Zhupa

03/05/2017 00:00

Do të jetë edhe shqiptari Eugert Zhupa, mes dhjetëra protagonistëve në “Xhiron e Italisë” në sportin e çiklizmit, një ndalesë prestigjioze në kalendarin zyrtar të UCI-së që përball më të mirët e garave.

Sportisti kuqezi, kampion kombëtar dhe nga të vetmit që spikat edhe në aktivitete ndërkombëtare, do të mbrojë emblemën e skuadrës italiane “Wilier Triestina”, duke nisur nga kilometrat e parë të premten.

Për Eugert Zhupën, kjo do të jetë pjesëmarrja e tretë në “Giro d’Italia”.

“Do ta gjejmë shpesh në arrati me grupin e kryesuesve, që në etapën e parë që starton në Alghero”, premtojnë mediet e Apenineve për talentin nga Shqipëria. Nga starti i Sardenjës do të marrë jetë edicioni i 100-të i turit sfilitës, që pas etapave ishullore do të përshkojë me radhë të gjithë gadishullin.

Ndërkohë, favoriti numër 1 është sërish Nairo Quintana, kolumbiani që me ngjyrat e “Movistar” do të synojë të përsërisë suksesin e vitit 2014. Në krah të çiklistit nga Amerika Latine gjejmë Vincenzo Nibalin, mbajtësi aktual i titullit dhe pikërisht ai, që edicionin e kaluar i vodhi me mjeshtëri Eugert Zhupës gëzimin dhe fitoren e një etape.

Këtë vit, “Giro d’Italia” është studiuar enkas për të shtuar emocionet deri në kthesën e fundit, e pikërisht për këtë, disa sprintierë që spikasin në distanca të shkurtra, si Rohan Denis apo Tom Dumoulin, mund të hasin në vështirësi. Etapa e parë e xhiros “rozë” do të startojë të premten dhe do të jetë e gjatë 206 kilometra.

Top Channel