Celta synon surprizën në Vigo, pa asnjë trofe europian

03/05/2017 00:00

Celta Vigo-Manchester United po cilësohet beteja e “Davidit kundër Goliatit”, në futbollin kontinental edhe pse të dy ekipet janë në gjysmëfinalet e Europa League dhe kanë merituar avancimin deri një fazë para finales.

Ekipi spanjoll synon të bëjë surprizën e madhe të kompeticionit, edhe pse përballë ka “Djajtë e kuq”, një formacion i regjur dhe me një trajner imponues si Murinho.

Në Vigo nuk e kanë shijuar asnjëherë gëzimin e një trofeu europian, dhe sulmuesi i ekipit spanjoll John Guidetti mendon se psikologjikisht Celta është më e fortë për të marrë biletën e vlefshme për finalen. Sfida e parë mes tyre zhvillohet të enjten në orën 21:05.

“Mendoj se nga ana psikologjike jemi të aftë t’i eliminojmë dhe në futboll asgjë nuk është e pamundur. Ndoshta jemi një klub kaq i vogël dhe nuk biem në sy, por njohim forcën tonë. Kemi fituar 2 vjet radhazi ndaj Barcelonës, eliminuam Realin e Madridit në Kupën e Mbretit dhe triumfuam gjithashtu me Atletikon. E dimë që jemi ekip i mirë”, tha sulmuesi i Celta-s.

Ekipi kryesor i qytetit të Vigos mban vendin e 11 në La Liga dhe shpresat kryesore këtë javë do t’i varë te shpërthimi i sulmuesit Iago Aspas.

Top Channel