Të paktën 5 persona humbën jetën si pasojë e një serie tornadosh të fuqishme në lindje të Dallasit në Teksas, ndërsa erërat e forta dhe reshjet e dendura goditën sipërfaqe të mëdha në zonat qendrore të SHBA.
Shërbimi Meteorologjik Kombëtar konfirmoi formimin e të paktën 3 tornadove në qytezën Kanton, nga ku raportohet se rreth 50 persona u trajtuan në spitale për plagë të shkaktuar nga furia e vorbullave të erës.
Tornadot e fuqishme u filmuan nga dëshmitarë të shumtë okularë disa prej të cilëve u detyruan të ndalojnë makinat dhe të prisnin që shtjellat e erës të kalonin para se të vazhdonin rrugën.
Përveç viktimave, tornadot shkaktuan edhe shumë dëme materiale, ndërsa autoritetet lokale kanë dërguar ekipet e emergjencës në zonat e dëmtuara më rëndë. Tornadot janë një fenomen i zakonshëm në SHBA gjatë gjithë viti, por që prej marsit e deri në qershor është periudha e tyre më e dendur dhe jo më kot njihet si stina e tornadove.
Top Channel