
Fauna e egër është rikthyer në shtëpinë e saj në pyjet shqiptare. Moratoriumi gati trevjeçar kundër gjuetisë bëri që të shtohet ndjeshëm kafshët dhe shpendët, sidomos ato që ishin drejt zhdukjes.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Elbasanit po monitoron me kamera kurth jetën e egër në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe rezultatet janë mbresëlënëse.
“Krahasimisht me vitet e mëparshme është vënë re një rritje e numrit të faunës së egër në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Një proces i ngjashëm është bërë në vitin 2013 dhe duke bërë statistikat e asaj periudhe me këtë të tanishmen rezulton që numri i faunës së egër është në një përmirësim të ndjeshëm, kjo edhe për faktin e moratoriumit”, thotë Ornela Poçi nga AKZM e Elbasanit.
Edhe pse ende kanë kundërshtimet e tyre për zgjatjen e moratoriumit, edhe gjuetarët nuk i fshehin rezultatet e tij.
“Ka njëfarë zhvillimi. Më shumë janë kafshët dëmtuese si ujku, ariu dhe kunadhja që ha lepujt. Nuk mund të themi që ka shumë lepuj në krahasim me atë që kishim më përpara, sepse ka shumë dhelpra. Ka përmirësim derri i egër”, thotë Demir Leka nga Shoqata e Gjuetarëve të Librazhdit.
Ariu i murrmë, macja e eger, ujku, derri i egër, kunadhja e kafshë të tjera, tashmë kanë shtëpinë e tyre dhe po shumohen dita-ditës. Monitorimi në fund të procesit do të këtë edhe një census të përafërt të jetës së egër.
Top Channel