Për të fituar në Botërorin e Formulës 1, detajet janë të rëndësishme. Pikërisht këtë kërkon të tregojë edhe Sebastian Vettel.
Piloti gjerman i Ferrarit, në Çmimin e Madh të Rusisë do të veshë këpucë të reja. Nuk bëhet fjalë për këpucën e zakonshme që veshin pilotët e Formulës 1, por për një lloj të ri, si çorape, që kompania e veshjeve sportive “PUMA” e ka studiar deri në detajet më të vogla.
Këpuca e re “Evoknit Driver Pro” peshon vetëm 135 gramë dhe 4 herë kampioni i botës e ka testuar edhe gjatë testeve dimërore, duke mbetur mjaft i kënaqur.
“Kjo këpucë e re është krijuar në mënyrë të tillë, që i jep mundësi pilotit ta ketë më të lehtë përdorimin e pedaleve të frenave dhe gazit gjatë garave”, shpjegoi për “Motorsport” Sonny Lim, drejtori i dizajnit të veshjeve të “PUMA”-s.
Tashmë kjo lloj këpuce si çorape e ka kaluar edhe miratimin e saj në FIA, që do të thotë se Vettel është i lirë që ta përdorë në të gjitha garat e Formulës 1, e jo vetëm në Rusi.
Top Channel