Ambasadori francez në Prishtinë: Ndaj Haradinajt, akuza të reja

23/04/2017 00:00

Ambasadori francez në Kosovë deklaron se Ramush Haradinaj po mbahet ende në Francë, jo për akuzat për të cilat është shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare, por për disa akuza të reja të ngritura nga Serbia.

“Ky urdhërarresti serb nuk ka të bëjë me dy gjykimet, për të cilat është liruar zoti Haradinaj. Nuk janë të njëjtat gjëra dhe as e njëjta periudhë. Gjykata franceze është e detyruar ta shqyrtojë këtë çështje, sepse nuk është e njëjta, për të cilën ai është shpallur i pafajshëm. Ndoshta më mirë do të duhej të merremi me çështjen se, pse nuk janë tërhequr këto fletarreste të lëshuara nga Serbia nga vendet e tjera”, tha Didier Chabert, ambasador i Francës në Prishtinë.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar kryetari i  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për degën e Prishtinës, Avni Arifi, sipas të cilit, Gjykata e Colmarit në Francë duhet të informohet se në Kosovë nuk ka pasur luftë pas vitit 2004.

Deklaratatat e ambasadorit francez u bënë gjatë një bashkëbisedimi me studentë, ku komentoi edhe kushtet e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Vlerësoj se nuk duhet të ketë vështirësi për demarkacionin me një shtet mik, siç është Mali i Zi. Askush nuk ka parashtruar kusht për demarkacionin me Serbinë, sepse e dimë që ajo nuk do të ishte realiste dhe, nëse ky kusht nuk është plotësuar, atëherë pyesni deputetët tuaj dhe mos kërkoni përgjigje nga BE-ja, sepse në Parlamentin e Kosovës nuk voton BE-ja, por votojnë të zgjedhurit tuaj. Prandaj, nëse jeni të shqetësuar përse nuk është plotësuar ky kusht, atëherë e keni adresën se ku të drejtoheni”, tha ambasadori Chabert.

Top Channel