Zgjedhjet franceze, shqetësim nga ngritja e Le Pen

22/04/2017 00:00

Franca nesër shkon në zgjedhjet presidenciale në një klimë të rënduar shkaktuar nga aktet terroriste. Klima i ka sjellë avantazhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila është akuzuar se po e shfrytëzon sulmet terroriste.

“Le Pen nuk do të zgjidhet. Kjo është e vetmja gjë për të cilën jam i sigurtë. Kushdo që do të garojë me Marine Le Pen në raundin e dytë, do të bëhet Presidenti i vendit. Pikë!”, thotë analisti politik, Thomas Guenole.

Thomas Guenole është shumë i bindur në pohimet e tij. Sondazhet janë gjithashtu në të njëjtën linjë, por jo të gjithë mund të flasin me kaq siguri kur vjen fjala tek liderja e ekstremit të djathtë francez, që sa vjen dhe shton influencën e saj. Kush mund ta mendonte përpara disa kohësh se Marine Le Pen do të ishte sot në këtë pozicion?

“Le Pen nuk ka qenë kurrë kaq pranë fitores. Situata politike në Francë ka përçarë partitë e majta e ka dëmtuar reputacionin e partive të krahut të djathtë. Të mos harrojmë se ka dhe rrethana ndërkombëtare, kështu që ajo ka të drejtë të thotë me plot gojën: pse jo Brexit? Pse jo Le Pen? Tensionet në zonat urbane e ato periferike të vendit, të ardhura si pasojë e kërcënimit terrorist, e kanë rritur gjithashtu vetëbesimin e Marine Le Pen”, thotë historiani Francois Durpaire.
 
E vendosur tashmë në pozitat e një kandidateje kryesore të fushatës presidenciale, udhëheqësja e Frontit Nacional është përpjekur t’i frenojë tiparet ekstreme të kësaj partie, që kur mori në dorë drejtimin e kësaj force politike në 2011-n.

Problemet ekonomike, sociale dhe ato të sigurisë kanë çuar ujë në mullirin e 48-vjeçares, partia e së cilës ka arritur të sigurojë edhe mbështetjen e të pakënaqurve me kushtet aktuale të vendit. Në zgjedhjet lokale të 2014-s, Fronti Nacional fitoi 12 komuna e në votimet e majit të po atij viti për Parlamentin Europian, doli forcë e parë.

Disa ekspertë, megjithatë mendojnë se sado e fortë të jetë ngritja e saj në skenën politike të vendit, nuk do ta favorizojë dot deri në pikën e marrjes së çelësave të Elizesë. Një pjesë e shohin si të rrezikshme edhe idenë e saj për të ndjekur shembullin e Britanisë në raport me bllokun europian.

“Nëse kreu i ardhshëm i shtetit nuk e mbështet BE-në, Franca ka shumë gjasa të armiqësohet me Gjermaninë dhe nuk jam i sigurtë nëse vendi ynë do të dilte i fituar nga ky lloj antagonizmi, sepse Gjermania ka shumë aleatë në Bashkimin Europian. Në rastin e një skenari të tillë, Franca do të përballej me vështirësi të mëdha ekonomike”, thotë Pierre Mathiot, profesor i shkencave politike në Institutin e Lilës.

Top Channel