Marshimi për shkencën, i pari bëhet në Ditën e Tokës

22/04/2017 00:00

Jemi mësuar të shohim protesta të çdo lloji dhe për gjithfarë arsyesh, por një për shkencën nuk kishte ndodhur kurrë deri më sot.

Pikërisht në Ditën e Tokës, mijëra shkencëtarë dhe mijëra njerëz po demonstrojnë në qindra qytete në mbarë planetin  kundër atyre që konsiderojnë si sulme politike ndaj fakteve.

Marshimi i parë për shkencën përkon jo më kot me Ditën e Tokës, pasi një prej prioriteteve të tij është promovimi i masave për të mbrojtur ambientin. Organizatorë e protestës globale thanë se ajo gjithashtu është një festë për shkencën dhe një thirrje për të mbështetur dhe mbrojtur komunitetin shkencor.

Një prej qyteteve ku zhvillohet protesta për shkencën është edhe Uashingtoni, por sipas organizatorëve ajo nuk është kundër presidentit Donald Trump.

Megjithëse, ata pranuan se administrata e tij kishte shërbyer si një katalizator për lëvizjen. Ndryshimet klimaterike, ndotja, ilaçet e shumë tema të tjera shkencore promovohen në protestat e shumta nga burrat dhe gratë që marrin pjesë dhe që janë mobilizuar në mënyrë që shqetësimet e tyre të dëgjohen.

Shumë prej shkencëtarëve të pranishëm në protesta thanë se po marshojnë kundër trendit alarmues që është shfaqur mes politikanëve për të diskretituar studimet dhe kërkimet e tyre.

Sigurisht, presidenti Trump dhe cilësimi i ngrohjes globale nga ai si një mashtrim është shembulli perfekt për këtë shqetësim të shkencës. Por siç ka thënë edhe një prej figurave më të njohura shkencore në SHBA, astrofizikanti, Neil deGrasse Tyson, gjëja më e mirë e shkencës është se është vërtetë, pavarësisht nëse i beson apo jo.

Top Channel